Me rifillimin e luftës në Ukrainë, Perendimi duke insistuar me çdo kusht ta shkëpusë Serbinë nga orbita ruse, është i gatshëm të sakrifikoj më të dobëtit në Ballkan. Të ashtuquajturit ideologë të kësaj taktike vepruese gjykojnë sipas konceptit se, vetëm kështu Serbia nuk do të kishte arsye të sillej si Rusia me fqinjët e saj. Përballë këtyre taktiave transatlantike, siç i cilëson këto sjellje Gabriel Escobar, Kosovës nuk i mbetet tjetër vetëm se të ushtrojë të drejtën e saj për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj, pra të qëndrojë.
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Plani për ndarjen e Bosnjës
Në qarqet mediale, para së gjithash në Bosnjë, qarkullon një plan i cilësuar si amerikan, për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Sipas tij ndarja e Bosnjës pritet të ndodhë mes dy entitetesh: atij boshnjak dhe serb. Nuk zihet në gojë fare entiteti kroat.
Në rrjetin social dhe redaksitë e ndryshme të mediave, të gjithë i referohen hartës së pretenduar të CIA-s amerikane, e cila tregon pikërisht këtë.
Apeli i javës së kaluar nga kreu i SDA, Bakir Izetbegoviç, mund të bie në veshë të shurdhër!
Në Mal të Zi vazhdon beteja e Vuçiqit për të imponuar prezencën e Kalit të tij të Trojës — “Frontin Demokratik” pro-serb dhe prorus në qeveri. Kundërshtimet nga grupimi indipendist janë ekstreme.
Presidenti proserb, që është njëkohësisht edhe kreu i partisë “Evropa tani”, Milenko Spajiq, i cili tashmë ka nominuar kandidatin për ta formuar qeverinë, tok koketojnë hapur me Beogradin. Ai pretendon të formojë një qeveri me parti më të vogla pro-serbe si dhe parti të pakicave etnike.
Formacioni politik “Evropa tani!” dëshiron ta sjellë Malin e Zi, me 620,000 banorët e tij, në BE, por edhe të forcojë lidhjet me Serbinë fqinje. Impenjimi i Serbisë brenda Malit të Zi është i thellë. Rezistenca e indipendistëve është aktive. Këmbëngulëse. Rrjedhimisht edhe gjasat që në nëntor Mali i Zi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonsme mbesin të hapura.
Rrugët që shpjejnë drejt shndërrimit të Malit të Zi si një trampolinë e përshtatshme përmes së cilës Serbia shkëputet nga ndikimi rus dhe përafrohet me Perendimin, duke u përafruar tutje me BE-në, janë pjesë e strategjisë së re serbe për përfitim maksimal brenda rrethanave t reja që po krijon gjeopolitika.
Skenari që kishin pregaditur dyshja diplomatike për dështimin e takimit të 14 shtatorit në Bruksel, ku do të duhej të sqaroheshin hapat politik për realizimin e marrëveshjes së 27 shkurtit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që do të pasohej me aneksin e saj në 18 mars në Ohër, është plotësisht në përputhje me axhendën serbe. Nëse plani serb për aneksimin e veriut të Kosoëvs në nëntorin e kaluar kishte dështuar, ndërkohë kur lufta në Ukrainë ka përmbysur interesat e fuqive rreth e për Ballkanin, Beogradi po investon në prolongimin e realizimit të marrëveshjes së Brukselit dhe promovimin e “konfliktit të ngritë” në raport me Kosovën.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, është i vetëdijshëm se Ballkani tërheq fuqitë e mëdha dhe i pengon ato në të njëjtën kohë në procesin orjentues gjeopolitik. Rivalitetet mbi urën tokësore 1500 kilometra të gjatë, siç është Ballkani në prag të Luftës së Parë Botërore, midis Lindjes dhe Perëndimit, i dha fund dy perandorive të kohës: Perandorisë Osmane dhe Monarkisë Habsburge. Por, nëse atëbotë, si rezultat i ktyre përplasjeve qe krijuar Jugosllavia si pengesa reale e depërtimit të influencës gjermane drejt Adriatikut dhe Mesdheut, përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe rishikimi i këtyre interesave në dritën e rikthimit të gjeopolitikës, i kishte dhënë fund asaj krijese të Versajes. Natyrisht pas plot katër luftrave që kishte shkaktuar Serbia që për objektiv kishin krijimin e “Botës Serbe”, brenda kufijve të të cilës hapësirë do të duhej të përfshiheshin të gjithë serbët!
Mitrovica nuk është “Thembra e Akilit” për Serbinë
Dështimi i mundshëm i planit franko-gjerman i aprovuar më 27 shkurt, është një hap më afër luftës shqiptaro-serbe.
Qeveria federale gjermane duhet ta përcaktojë shpejt këtë rrugë të mesme me Francën, midis kërkesave të partnerëve të BE-së për anëtarësim në lindje dhe dëshirave për shtyrje të partnerëve të tyre në perëndim.
Fuqitë europiane pas përfundimit të luftës, ia kanë mundësuar Serbisë që të krijoj dy porta, çelësin e të cilave pretendon ta mbajë Beogradi tutje: Brçkon dhe Mitrovicën.
Gjatë gjithë procesit të dialogut, për pa më shumë se një dekadë, Serbia tund këta çelësa herë në portat e Brçkos e herë në ato të Mitrovicës, duke u imponuar si kuazifaktor i paqes në rajon!
Një lagje e mirë e diplomatëve perendimor, për rrjedhojë, e kanë akceptuar pozicionin serb, duke i cilësuar këto porta si “thembra e Akilit” për Serbinë! Por, si faktet historike edhe ato demokrafike e gjeopolitike e dëshmojnë katërcipërisht se Mitrovica nuk është “Thembra e Akilit” për Serbinë.
Akceptimi i tezës se “Mitrovica na qenka si ‘Thembra e Akilit’ për Serbinë” është produkt i pajtimit gradual me tezën serbe për krijimin e “Botës Serbe”, jo vetëm i një shprehjeje metaforike që po na sugjeroka se Mitrovica është një qytet që ka një rëndësi të veçantë për Serbin.
Ky term nëdrlidhet ekskluzivisht me aspiratën serbe tashmë të hapur për aneksimin e veriut të Kosovës. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, kjo metaforë ka kontekstin e saj dhe nuk është një krahasim i drejtpërdrejtë historik ose mitologjik. Akili ishte një figurë e mitologjisë greke dhe një nga heronjtë kryesorë të “Iliadës”, i njohur për guximin dhe fuqinë e tij në betejë. Në këtë kontekst, krahasimi i Mitrovicës me “Thembrën e Akilit” nuk ka një bazë historike as të përafërt me atë që ndërlidhet me pikën e dobët të Akilit.
Mitrovica është një nga qytet krejt modern dhe nuk ka kurrfarë lidhjesh të drejtpërdrejta me mitologjinë greke, e aq më pak me atë mbi Akilin.
Në praktikë, Mitrovica është një qytet i ndarë me impenjimin direkt të KFOR-it francez, rrjedhimisht të shtetit të Francës fill pas përfundimit të luftës në Kosovë [1999]. Tashmë është i njohur akti i ndarjes së saj.
Ndarja e qytetit të Mitrovicës u bë në emër të sigurisë për pakicën serbe, respektivisht në emër të shmangies së tensioneve etnike që do të mund të ndodhnin! Pasi NATO-s intervenoi për të ndaluar gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, shumica e Kosovës u bë e pavarur në praktikë, ndërsa forcat e KFOR-it (Forca e Kombinuar e NATO-s) u vendosën për të ruajtur paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës, me theks në Mitrovicë.
Mitrovica ishte edhe para luftës, por është edhe sot, një qytet me popullsi të përzierë etnikisht, megjithatë shumica edhe para luftës ishin të përkatësisë etnike shqiptare. Pasi qyteti u lirua nga trupat e Serbisë dhe forcat paramilitare serbe, Franca, duket me plan të detajuar paraprakisht dhe të akorduar që në Konferencën e Rambujesë, me marionetat e saj që ia kishte dalë t’i katapultojë në krye të UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe në krye të Delegacionit kosovar, imponoi një linjë ndarëse midis pjesës shqiptare dhe asaj serbe të qytetit. Kjo ndarje u arrit të çimentohet sidomos me pranimin e Pakos së Ahtisarit dhe ndarjen e qytetit në dy komuna.
Linja e ndarëse e quajtur “Ura e puntorëve” ndau qytetin në dy pjesë të ndara “natyrshëm” nga Lumi Ibër. Pjesa veriore e qytetit ju la nën kontroll strukturave të sigurisë që ndërkohë i rigrumbulloi Serbia pasi ishte detyruar të tërhiqej, ndërkaq pjesa jugore u la nën kontrollin e komunitetit shqiptar. Kjo ndarje ka qenë dhe mbetet burim tensionesh dhe konfliktesh të vazhdueshme midis komuniteteve etnike, duke ndikuar negativisht në përpjekjet për të krijuar një mjedis të harmonizuar dhe të integruar ndërmjet tyre.
Pas kësaj ndarjeje, ka pasur përpjekje të ndryshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore për të ndërmjetësuar dhe për të gjetur zgjidhje për të zbutur tensionet dhe për të rindërtuar besimin ndërmjet komuniteteve. Megjithatë, ndarja e qytetit dhe tensionet ishin selitur vazhdimisht nga strukturat e sigusrisë serbe dhe Lista Serbe si përfaqësuese politike e tyre, që bazuar në Marrëveshjen e prillit 2013 ishte legalizuar dhe imponuar si pjesë e bashkëqeverisjes në Prishtinë! Kjo po ndodhë me intensitet të shtuar nga shtatori i vitit të kaluar…
Mitrovica është trajtuar shpesh si një pjesë e rëndësishme e gjeopolitikës serbe, veçanërisht në kontekstin e synimeve për të ndikuar në zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë dhe në krijimin e një zone të kontrolluar ose të influencuar nga Serbia, që të mund të konsiderohej si pjesë e saj; shih për këtë, disa i referohen kësaj pjese të Kosovës madje edhe si “Bota Serbe”. Ky nocion, të cilin së fundmi e ripromovoj kreu aktual i Shërbimeve Sekrete Serbe, Aleksandar Vulin, njeriu ndër më besnikët për Rusinë në Ballkan, ka zëvendësuar gradualisht nocionin “Serbia e Madhe”, si shpreheje e ambicieve të Serbisë për të përmbushur synimet e saj në rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën.
Kundërvënia ndaj politikave nekoloniale të Serbisë parakusht për ruajtjen e paqes
Serbia ka shfrytëzuar minierën e Trepçës gjatë gjithë periudhës sa e trajtoi gjithë Kosovën si koloni tipike të saj [1913-1987]. Ajo përmes Bankës së Beogradit bëri ç’mos që në dekadën e fundit të kolionalizimit ta lidhë Trepçën me 1001 fije, sidomos me Francën, duke siguruar kështu gjasat për shfrytëzimin tutje të saj, disi ngjashëm siç ka bërë Franca me ish kolonitë e saj në Afrikë, edhe pasi qe detyruar të largohet. Nëse Franca edhe sot e kësaj dite “mban të ardhurat e ish-kolonive të saj në Banque de France në Paris”, Beogradi letrat kredenciale të Trepçës i kishte deponuar si hipoteka sigurie për shumë hua të majme të saj gjithandjej në bankat e huaja, ndërkaq rezervat monetare edhe sot e kësaj dite në bankat serbe.
Përmes Asociacionit të pretenduar në Kosovë, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë, por edhe për mes statusit të veçantë të Kishës [ngjashë me atë të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Serbia sot ushtron po të njejtën politikë si simotra e saj – Franca për vite të tëra edhe pas kolonializmit në Afrikë.
Politika franceze — e njohur si Françafrique — përfshinte praninë e bazave ushtarake franceze nga Xhibuti në Senegal, nga Bregu i Fildishtë në Gabon. “Nga të gjitha ish-fuqitë koloniale në Afrikë,” na tha Noudjenoume, “është Franca ajo që ka ndërhyrë ushtarakisht të paktën gjashtëdhjetë herë për të përmbysur qeveritë, si ajo e Modibo Keita në Mali (1968), ose për të vrarë liderët patriotë. si Félix-Roland Moumié (1960) dhe Ernest Ouandié (1971) në Kamerun, Sylvanus Olympio në Togo në 1963, Thomas Sankara në Burkina Faso në 1987 dhe të tjerë. Ndërmjet viteve 1997 dhe 2002, gjatë presidencës së Jacque Chirac, Franca ndërhyri ushtarakisht 33 herë në kontinentin afrikan (për krahasim, midis 1962 dhe 1995, Franca ndërhyri ushtarakisht 19 herë në shtetet afrikane). Franca kurrë nuk e pezulloi vërtet kontrollin e saj kolonial apo ambiciet e saj koloniale.[1]
Serbia aktualisht ka plot 48 baza ushtarake e policore të dislokuara rreth e përqark kufijve të Kosovës. Brenda në Kosovë ka instaluar dhe etabluar, fill pas detyrimit për tërheqjen e trupave ushtarake e policore në qershor 1999, strukturat e saj paramilitare që dikur quheshin “Rojet e Urës” e sot “Brigada e Veriut”. Ndërkaq përmes marrëveshjes së imponuar të prillit 2013 dhe asaj të gushtit 2015, që i arriti përmes shantazhimeve të mirëfillta ndaj marionetave të saj, që ia kishte dalë t’i katapultojë në krye të Republikës sonë, ajo kishte penetruar thellë në institucionet e Republikës, duke e shndërruar Kosovën kështu në një neokoloni të mirëfilltë. Për rrjedhojë gjatë gjithë kësaj periudhe, deri më 14 shkurt 2021, de fakto, Kosova bashkëqeverisej me të dërguarit dhe emruarit e Beogradit si një neokoloni tipike.
Kundërvënia e rreptë ndaj politikave nekoloniale të Serbisë në rajon, që për objetiv kanë jo vetëm shfryëtzimin neokolonial të kësaj hapësire, por edhe krijimin e parakushteve politike për realizimin e projektit nacional serb të njohur tashmë si “Bota Serbe”, është evidente dhe e pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi e Bosnjë. Por, kundërvënia më e fuqishme ishte ajo që ndodhi pikërisht në Kosovë më 14 skurt 2021, kur qytetaria depushtetizoi klanet dhe strukturat e instaluara të “gjeneralëve” makut e ish marionetat e Serbisë që ajo kishte instaluar në krye të të ashtuquajturave parti demokratike që ishin toleruar të talleshin me popullin gjatë epokës sa Beogradi ushtronte Apart’heid në Kosovë [1989/1999].
Vëmendjen në raport me strategjinë e re serbe që sinjifikon nocioni “Bota Serbe” e tërhoqi pikërisht Aleksandar Vulini, me deklaratën e tij si kundërpërgjigje ndaj akuzave që i vinin nga Mali i Zi dhe Bosnja.
“Beogradi duhet të mbledhë të gjithë serbët e rajonit brenda dhe rreth tij, prandaj presidenti i Serbisë e imponohet si president i të gjithë serbëve apo popullit serb të “shpërndarë” në vendet fqinje të rajonit” [2] kishte deklaruar troç ish ministri serb Aleksandar Vulin.
Kjo temë, natyrisht, nuk është e re. Ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, në fillim të vitit kishte prezantuar dy dokumente strategjike: Strategjinë e Mbrojtjes së Republikës së Serbisë dhe Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilat patën shkaktuar një stuhi të madhe në rajon.
Strategjia e sigurisë kombëtare përcakton shtatë interesa kombëtare prioritare të Republikës së Serbisë, dy prej të cilave kanë shkaktuar shqetësimin e vendeve fqinje — ruajtja e sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë, dhe ruajtja e ekzistencës dhe mbrojtja e popullit serb “kudo që jeton”, si dhe i pakicave kombëtare, identitetin e tyre kulturor, fetar dhe historik, i cili është parakusht për “mbijetesën e Republikës së Serbisë, diasporës dhe serbëve jashtë vendit, dhe Republika Srpska si një entitet brenda Bosnjë-Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”, potencohet aty. Sipas Dr.Jadranka Poloviqit, “këto dy synime tregojnë qartë vetëbesimin e ri të Serbisë, dhe paraqesin një kthesë serioze në politikën serbe, e cila padyshim favorizohet nga rrethanat e reja gjeopolitike në rajon.”[3]
Në këtë linjë është edhe akti i Nikola Selakoviqit. Ai u bë ministri i parë serb që u përkul para varrit të Bozidar Jankoviq-it, gjeneralit serb, komandantit të Armatës së Tretë të kohës së Luftës së Parë Ballkanike, i cili pushtoi Prishtinën më 22 tetor të vitit 1912.[4] Ky akt sikur paralajmron objektivin serb, respektivisht ëndrrën për rikthim në Kosovë, e hap qenësor që i shpie drejt “Botës serbe”.
Në emër të ruajtjes së paqes në Europë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, qe sakrifikuar Kosova [tërë vilajeti i saj nga Novi Pazari e deri në Manastir], por edhe Çamëria në këtë kuadër, duke dyfishuar pothuajse kështu hapësirën serbe [Lebensraum-in e saj] dhe duke davaritur me këtë rast edhe Greqinë me njërën prej krahinave më të pasura shqiptare, siç ishte Çamëria.
Paqja e pretenduar nga lordët e Europës së fillimshekullit 20-të, në emër të së cilës Shqipëria u shndërrua në torzo, qe ruajtur vetëm për disa muaj, meqë apetiti i Serbisë ndërkohë qe rritur tej mase dhe ideologët e gjeneralët serb tani po gjykonin se kishte ardhur koha që shtrirja e Serbisë të bëhej në perendim, aty ku ishin penguar ta bënin në prag të Luftës së Lindjes [1875–1878], kur i ishte tumirë Serbisë zgjerimi në jug, duke pushtuar rreth 12.000km2 të territorit shqiptar [Krahina e Nishit — 248 katunde; ajo e Pirotit — 189 katunde; krahina e Vrajës — po aq — 189 katunde dhe krahina e Toplicës — 372 katundne, që tok ishin 998 katunde]. [5]
Plani franko-gjerman pjesë e strategjisë apo taktikës transatlantike?
Përse diplomacia perendimore sërish po vihet në lajthitje nga Serbia, duke e trajtuar Kosovën vetëm si pjesë të taktikave të saj gjeostrategjike?
Me rifillimin e luftës në Ukrainë [shkurt 2022], Perendimi duke insistuar me çdo kusht ta shkëpusë Serbinë nga orbita ruse, është i gatshëm t’i sakrifikojë më të dobëtit në Ballkan. Duket se filozofi anglez Edmund Burke kishte të drejtë kur nënvizonte se në rrethana të ngjashme “që të triumfojë e keqja, mjafton që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë!” [6] Të ashtuquajturit ideologë të kësaj taktike vepruese, gjykojnë sipas konceptit se, vetëm kështu Serbia nuk do të kishte arsye të sillej si Rusia me fqinjët e saj dhe të filloj me frontin e dytë të luftës në Europë!
Ja porosia pragmatike e G.Escobar-it: “…Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysëm do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës.” [7]
Kosova nuk është dhe nuk mund të trajtohet siç ishte trajtuar dikur St.Louis-i apo Ferguson-i – një geto në proces e sipër!
Përballë këtyre taktiave transatlantike, siç i cilësoi këtë stil komunikimi i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Kosovës nuk i mbetet tjetër vetëm se të ushtrojë të drejtën e saj për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj, pra të qëndrojë. Gota është më shumë se gjysma e mbushur kur bëhet fjalë për funksionalizimin e Republikës, selitjen dhe mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë sonë. Në këtë gjendje absurdi, do të thoshte Martin Shulc, ish presidenti i Parlamentit Europian, “shumica e njerëzve që janë të gatshëm të mbrojnë republikën, demokracinë, kushtetutën tonë, duhet të mobilizohen.” [8]
Prandaj përballja nuk është në përmasat që i potencon Escobar. Sigurisht rezistenca jonë do të ketë edhe mbështetje edhe brenda 700 milionshit të Escobar-it, pjesë e së cilës familje jo vetëm politike jemi edhe ne.
Ishin po këta 700 milion të komunitetit verioatlantik që qenë bindur nga 1.8 milion shqiptarë, duke e vënë në veprim për herë të parë në përmasat e tilla në shenjë të solidaritetit dhe mbrojtjes së Jetës – rrafshi humanitar, mekanizmin e sigurisë që posedojnë – Aleancën Verioatlantike [NATO], duke i bombarduar caqet serbe në pranverën e vitit 1999.
Kjo ndrëhyrje, z Gabriell, ishte pjesë e strategjisë e komunitetit transatlantik dhe asesi taktikë çasti. Si rezultat i saj, influenca ruse në rajon sot është përkufizuar kryesisht vetëm në Serbi. Si rezultat i saj, sot fqinjët e Kosovës [Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia], janë pjesë e asaj Aleance, ku do të duhej të ishte shpejt edhe Republika e Kosovës.
Shqiptarët edhe për shkak të historisë politike të hidhur gjatë gjithë procesit të pavarësisë dhe kombformimit, kanë parë tek historia e ngritjes së Leviatanit Amerikan dhe përgjithësisht shtetit modern brenda familjes së demokracive liberale, një histori suksesi. Sigurisht që historia amerikane, mund të shërbej si model i mirë për kombet tjerë, sidomos në rrafshin e ekuilibrimit të fusqisë së shtetit dhe shoqërisë. Por, siç kanë vërejtur me të drejtë studjuesit Acemoglu dhe Robinson, “liria që është krijuar nga Leviatani Ameran është më shumë për shkak të mobilizimit të shoqërisë, sesa për dizajnin intelegjent të Kushtetutës.” [9] Në këtë pikë, ka një përafrim të jashtëzakonshëm të përvojës pozitive të shoqërisë kosovare në këto vitet e fundit.
Ngjashëm me Kushtetutën amerikane, edhe arkitektura e Kushtetutës së Republikës së
Kosovës, për aq sa ishte e rëndësishme, ajo ka edhe anët e errta të saj. Kompromiset e imponuara nga Plani i Ahtisarit, ka rrezik ta shndërrojnë Shtetin në jofunksional, sidomos në rast se insistohet me çdo kusht të krijohet Asociacioni konform marrëveshjeve të 2013-ës dhe 2015.
Anashkalimi me kaq lehtësi i planit franko-gjerman, edhe në emër të taktikës transatlantike, de fakto, është pranim publik i dështimit të diplomacisë; rrjedhimisht kjo deklaratë mund të jetë fare lehtë prologu ose esenca e një skenari të luftës së re. Por kjo luftë, në këtë nyje strategjike të Europës Juglindore, asesi nuk do të mund të kufizohej dot në përballjen e 1.5 milion qytetarëve të Kosovës, sa gjykon se janë ndonjë diplomat i kësaj lagjeje, me agresionin serb. Jo, lufta e re serbo-shqiptare, përveç se do të përplaste dy kombet në tërësinë e tyre – gjithësesi në anën e Kosovës do të jenë mbi 6 milion shqiptarë, pa përjashtuar lumenjtë e vullnetarëve nga diaspora, shumëfish më të organizuar se atëherë kur UÇK-ja ishte shndërruar në dalëzotëse të Kosovës. Këtë luftë, natyrisht shqiptarët nuk e duan, por nëse ju imponohet, atëherë do të regojnë tok. Sigurisht që kjo luftë, pastaj do të shtrihej në gjithë rajonin! Megjithatë, le të shpresojmë se diplomacia perendimore, ndërkohë do të bindet, se në këto rrethana, lufta nuk do ta dëmtonte vetëm palën shqiptare dhe atë serbe, por edhe interesat transatlantike, e në radhë të parë edhe Europën dhe civilizimin e saj.
Ndryshimi i taktikave transatlantike nga ana e diplomacisë perendimre, respektivisht bartësve të saj në raport me Kosovën, prandaj do të përballet me kundërvënie të rreptë ndaj politikave nekoloniale të Serbisë.
Ne do të rezistojmë, sepse kështu na ka mësuar historia jonë, civilizimi ynë perendimor, Europa e Amerika demokratike, po aq sa edhe shembulli i Ukrainës dhe qëndresa titanike e ukrainasve sot.
_______________
1. https://www.eurasiareview.com/21092023-is-this-the-end-of-french-neo-colonialism-in-africa-oped/
2. Shih analizën e Dr.Jadranka Polović: „SRPSKI SVET“ në:
3. Po aty.
4. Shih më gjerësisht: https://thegeopost.com/sq/lajme/memorialet-dhe-grafitet-serbe-per-kosoven-rritje-e-agresionit-te-luftes-hibride/
5. Bejtullah Destani, MUHAXHIRËT — Dosja britanike, Prishtinë 2019, f. 268
6. https://gutezitate.com/autor/edmund-burke
7. https://www.zeriamerikes.com/a/7277488.html
9. Daron ACEMOGLU & James A. ROBINSON: Koridori i ngushtë – Shteti, shoqëritë dhe fati I lirisë”. Prishitnë, 2023, f. 330