Integrimi nordiko-baltik në NATO – model për integrimin e Ballkanit Perendimor
Nga Dr Sadri RAMABAJA
Në korrik, në Vilnius, kryeqendërn e Lituanisë, zhvilloi punimet samiti i katërt që Aleanca ka mbajtur që nga pushtimi rus në shkallë të gjerë Ukrainën në shkurt 2022. Aty u mblodhën krerët e shteteve dhe qeverive të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duke i dhënë frymë të re takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Mbledhja e këtij niveli të lartë u organizua vetëm 20 milje nga kufiri me Bjellorusinë, aleates së vetme të Rusisë, përveç Serbisë, duke dërguar kështu disa sinjale të rëndësishme:
1. Shpërfaqjen e shqetësimeve të NATO-s për rrjedhën e luftës në Ukrainë,
2. Potencimin e unitetit të Aleanëcs për mbështetjen që i jipet Ukrainës në luftën e saj të drejtë dhe
3. Shtrirjen e plotë të NATOS në Baltik, duke përfshirë anëtarësimin e fundit të Finlandës dhe dërguar në histori mitin mbi neutralitetin e saj si rrugë e ndërmjetme në përballjen me Rusinë. Por, java e punës në samit zbuti edhe gjakrat mes Turqisë dhe Suedisë, me çka solli edhe pranimin me kusht të kësaj të fundit, meqë Turqia hoqi kundërshtimet që kishte paraprakisht.
Heqja dorë nga neutraliteti
Anëtarësimi suedez dhe finlandez në NATO ka qenë i shumëpritur, veçanërisht në Baltik, por nuk ka një kurë mrekullie për rreziqet e sigurisë me të cilat përballet Krahu Lindor,[1] shkruan në një opinion të tij të publikuar ndërkohë Otto Tabuns, drejtor e themelues i Fondacionit Baltik të Sigurisë.
Qeveritë e dy vendeve baltike të njohura për qëndrimin e tyre historik për ruajtjen e neutralitetit, me shpërthimin e luftës në Ukrinë duket që kanë lexuar drejt mesazhin e saj edhe për rrezikun që paraqet hegjemonizmi rus për Baltikun. Sidoqoftë, faktorët e jashtëm që ndikojnë negativisht në sigurinë e Balltikut janë evident. Ata, vazhdon tutje Tabuns, në mënyrë të veçantë, përbërja e sfidave të sigurisë bërthamore, konvencionale dhe asimetrike të krijuara nga Rusia, do të mbeten kërcënimet më të rëndësishme për zonën e Baltikut, si dhe për hapësirën më të gjerë transatlantike.[2]
Shih për këtë, Finlanda dhe Suedia heqin dorë nga neutraliteti i tyre dhe aderojnë në NATO. Tek Neni 5 i Traktti ato gjejnë siguri më të madhe. Le të kujtojmë tekstin e këti neni të veçantë të këtij traktati që shërbeu e po shërben si letër lakmuesi për aderim të shteteve në NATO.
“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve; Prandaj, ata bien dakord që në rast të një sulmi të tillë të armatosur, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive të njohur në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, t’i japë ndihmë palës ose palëve të sulmuara nga secila prej tyre merr pa vonesë, vetë dhe në bashkëpunim me palët e tjera, masa të tilla, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, siç e sheh të nevojshme për rivendosjen dhe ruajtjen e sigurisë së zonës së Atlantikut të Veriut.”[3] [Shkëputur nga teksti i plotë i Traktatit të Atlantikut të Veriut i 4 prillit 1949]
Ndryshimi i dinamikës së sigurisë në Europë
Lufta në Ukrainë dhe integrimi i vendeve të Baltikut në NATO nga autorë të ndryshëm shihen si dy çështje të ndryshme, por që ndikojnë ndërkohë në dinamikën e sigurisë në Europë.
Siç dihet, objektivat ruse për pushtimin e Ukrainës kanë filluar me pushtimin e Krimesë në vitin 2014, dhe pas shpërthimit të krizës së Donbasit, ku separatistët prorus dhe forcat ukrainase janë përfshirë në një konflikt të armatosur në rajonin lindor të Ukrainës. Ky konflikt ka shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe ka prodhuar tensione të mëdha ndërkombëtare.
Sidoqoftë atëbotë Perendimi, sidomos BE-ja, nuk kishte një agjendë të mirëfilltë gjeopolitike për rajonin dhe në heshtje tumiri pushtimin rus të Krimesë.
Vendet e Baltikut – Estonia, Letonia dhe Lituania janë anëtare të NATO-s që nga vitet 2004 dhe janë përfshirë në strukturën e mbrojtjes kolektive të Aleancës. Prania e tyre në NATO është rezultat i kalimit të tyre nga një sistem i mbrojtjes i përdorur nga Bashkimi Sovjetik, tek ombrella e mbrojtjes perëndimore.
Integrimi i vendeve të Baltikut në NATO është ndjekur me vëmendje dhe ka shërbyer si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar mbrojtjen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Qendrore dhe atë të Lindjes. Në këtë kontekst, konflikti në Ukrainë ka rëndësi të veçantë, pasi është shqyrtuar si një shkelje e sovranitetit të një shteti të pavarur europian dhe një sfidë ndaj rendit të paqes në rajon.
NATO ka marrë masa për të ndihmuar Ukrainën në këtë konflikt, përfshirë mbështetjen e reformave të sigurisë, trajnimit të ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e asistencës humanitare. Gjithashtu, Alianca ka zbatuar masat e sanksionit kundër Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë.
Ndërkohë, vendet e Baltikut janë angazhuar në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë në rajon, duke përfshirë ndarjen e një pjesë të burimeve për mbrojtjen dhe investimet në aftësi të mbrojtjes.
Këto dy çështje tregojnë se si konflikte të tilla, si ky në Ukrainë, ndikojnë në rrjedhën e politikës dhe ndryshimin e dinamikës së sigurisë në rajonin e Europës. Shih për këtë integrimi në NATO shihet si një mjet për të përmbushur objektivat e sigurisë dhe stabilitetit nacional e rajonal.
Lufta në Ukrainë në dritën e kontekstit të sigurisë ndërkombëtare
Lufta në Ukrainë, shtrirja e NATO-s në Baltik dhe pretendimi për përfshirjen e Ballkanit nën ombrellën e sigursë së NATO-s, janë tri çështje të ndryshme në kontekstin e sigurisë dhe politikës ndërkombëtare, por ato kanë ndikim në dinamikën e rajonit të Europës Lindore dhe të Europës Juglindore.
NATO (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut) është një aleancë ushtarake ndërkombëtare e krijuar për të siguruar mbrojtjen kolektive të anëtarëve të saj. Aleancës i janë bashkuar shumë vende, përfshirë shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe të Ballkanit.
NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurinë e Europës Lindore dhe asaj Juglindore, duke ofruar mbështetje dhe siguri për anëtarët e saj në këto rajone. Përfshirja e NATO-s në luftrat që kishte shkaktuar Serbia gjatë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, sidomos në Bosnjë e Kosovë, ishte sinjali më i mirë që i dërgohej Moskës për ndryshimet e pritshme të sferave të interesit gjeopolitik edhe për këtë pjesë të kontinentit të vjetër.
Impenjimi i NATO-s përfshin ndër të tjera edhe ndihmën për vendet në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar kapacitetet e tyre të mbrojtjes dhe të sigurisë. Ballkani është një rajon në Evropën Juglindore që përfshin disa vende, ndër të tjera: Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Ky rajon është përfshirë në ndryshime të ndjeshme pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe ka kaluar nëpër procese të ndryshme politike dhe të sigurisë.
Në Ballkanin Perëndimor NATO ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndihmën për të stabilizuar atë dhe për të ndihmuar në procesin e integrimi të vendeve të këtij rajoni në strukturat euroatlantike, përfshirë Aleancën dhe Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht disa vende të Ballkanit Perëndimor janë tashmë anëtare të NATO-s ose janë duke kërkuar anëtarësim, ndërsa procesi i integrimit në NATO është një objektiv i rëndësishëm për vende të tjera në rajon, duke përjashtuar këtu Serbin që ka pozicion tutje pro rus.
Në përgjithësi, konflikti në Ukrainë dhe marrëdhëniet e vendeve të Ballkanit me NATO-n kanë ndikuar në dinamikën e sigurisë në Europën Lindore dhe Juglindore dhe janë sfida të rëndësishme për politikën ndërkombëtare dhe sigurinë rajonale.
Antarësimi i Kosovës në NATO – nevojë urgjente
Antarësimi i Kosovës në NATO në rrethanat ku ka degraduar dialogu i Kosovës me Serbin dhe kur pozicioni i mefshtë i BE-së edhe në raport me vet Planin Franko-Gjermna të shndërruar në një tip Marrveshjeje Bazë, si po cilësohet nga palët, mbetet garanca vendimtare për paqen në rajon në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ky fakt do të kishte ndikim pozitiv për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe në mënyrë të përgjithshme në rajonin e Europës Juglindore. Por aderimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO, para së gjithash do t’i jipte fund aventurës ruse për hapjen e frontit të dytë të lufëts në Europë dhe me këtë edhe ndikimit të saj në Ballkan. Prandaj këtë hap duhet cilësuar e trajtuar si nevojë urgjente.
Disa arsye për këtë janë:
1. Forca e sigurisë: NATO është një aleancë ushtarake që ka rolin themelor në sigurinë e anëtarëve të saj. Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, ajo do të ketë mundësinë të përdorë mbështetjen dhe mbrojtjen e Aleancës në rast të rreziqeve të sigurisë.
2. Rruga drejt stabilitetit: Integrimi i Kosovës në NATO është pjesë e përpjekjeve për të forcuar institucionet dhe kapacitetet e shtetit të Kosovës, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen. Kjo mund të ndihmojë në stabilitetin dhe përforcimin e sundimit të ligjit në vend, duke ndikuar në ndërveprimin e konflikteve dhe tensioneve në rajon.
3. Mbrojtja e territorit: Në rast të ndonjë rreziku potencial për integritetin territorial të Kosovës, anëtarësimi në NATO mund të performojë shkallë më të lartë sigurie për vendin. Anëtarësimi në NATO do të obligonte Aleancën për mbrojtjen e kufijve të Kosovës sipas traktatit të Aleancës, duke shfrytëzuar burimet dhe teknologjinë ushtarake të ofruara nga partnerët e NATO-s.
Ndjekja me urgjencë e modelit të Baltikut edhe në Ballkan, gjithmonë duke pas në konsideratë sigurinë Euroatlantike të Europës Juglindore si tërësi, pranimi i Kosovës në NATO, do të thellonte me shpejtësi të duhur bashkpunimin ekzistues mes vendeve anëtare në njërën anë dhe izolimin e Serbisë nga çfardo aventure për rihapje të apetiteve të saj hegjemone jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Malit të Zi dhe Bosnjës.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO është kufiri i skajshëm i zgjerimit të formateve të ndryshme të bashkëpunimit edhe mes shteteve anëtare në NATO, pa kushtëzuar këtë me ndryshimet e parimeve aktuale kushtetuese kombëtare. Vlera e vërtetë e shtuar e pranimit të Kosovës në NATO qëndron në thjeshtimin e disa prej mënyrave komplekse që SHBA-të dhe shtetet e Ballkanit Perendimor kanë ushtruar në kuadër të bashkëpunimit për të ofruar siguri, pa përfillur zemërimin rus.
Serbia – kali trojan lakuriq i Putinit
Në Samitin e NATO-s në Vilnius, shtetet baltike kanë arritur të zgjerojnë gamën e tyre të sigurisë, sidomos me integrimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Ky model do të duhej të ndiqej edhe me Ballkanin Perendimor, duke filluar me Kosovën. Si për vendet e Baltikut edhe për ato të Ballkanit Perendimor, kërcënimi rus i sigurisë mbetet tutje prezent. Ndërkaq ai do të ishte shumë i lartë sidomos në rastin e fitores ushtarake të Kievit në luftën në Ukrainë. Por edhe në rast të tejzgjatjes së luftës ruso-ukrainase, rreziku mbetet i hapur. Sidomos kur kihen parasysh pozicionimet e Serbisë dhe gjakimi i saj për aneksimin e veriut të Kosovës dhe Republikës Serbe, por edhe impenjimi i thellë i saj në Malin e Zi.
Diplomacia perendimore ndodhet para dilemës: të thyej tabutë ose tabutë do të na thyejnë atë. NATO dhe BE, konkludon në një studim të tij Fondacioni gjerman “Fridrich Nauman”,
duhet ta vendosin “bashkëpunimin në një orbitë të re dhe BE-ja nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj derisa ata të jenë anëtarë të NATO-s. Kjo është veçanërisht e vërtetë në Ballkan, ku Serbia është kali trojan lakuriq i Putinit.” [4]
Për sa kohë që nuk ka konsensus të brendshëm, si në NATO edhe në BE, për rolin e Serbisë dhe arkitekturën e sigurisë europiane në këtë situatë të komplikuar edhe si rezultat i luftës në Ukrainë, politika e jashtme serbe do të mbetet e ndërvarur nga Rusia.
Beogradi edhe gjatë kësaj periudhe, nga shkurti i vitit 2022 e këtej, ka luajtur me kartën e pragmatizmit politik. Në këtë situatë, përsëri shihet se çështja e zgjerimit të NATO-s, respektivisht aderimit të Kospvës në kuadër të Aleancës, merr funksione konkrete në debatin e brendshëm serb dhe rus për të arritur disa interesa në frontin e brendshëm dhe të jashtëm. Për sa i përket politikës së brendshme serbe, kemi një shpërfaqje të një lidershipi që kryesisht merr vendime për politikën e jashtme krejtësisht në ndërvartësi me interesat ruse, pa përfillur as interesat strategjike koherente afatgjata të Serbisë. Në krizën aktuale që po kalon Serbia si shtet autoritar, nuk mund të flitet për një strukturë egzistuese qartësisht e hierarkizuar, rrjedhimisht procesi i vendimmarrjes së politikës së jashtme është ad hoc. Politika e jashtme mbetet tutje e përshtatur fort me personalitetin e presidentit dhe për këtë arsye ajo mund të cilësohet krejtësisht si arbitrare. Roli i Kishës dhe Ushtrisë në këtë kuadër vazhdon të jetë vendimtar. Gjatë dy viteve të fundit, botëkuptimi mbizotërues i elitës politike serbe është orjentuar në rrumbullaksimin e projektit nacional të quajtur “Bota Serbe”. Lufta në Ukrainë, gjykon kjo elitë, sidomos fundi i saj i mundshëm që do të përmbyllej me ndarjen e Ukrainës, i shkon për shtati objektivit strategjik serb.
Pavarësisht qëndrimit kryesisht negativ ndaj Perëndimit, e sidomos në raport me NATO-n, në qarqet e larta të politikës serbe [qoftë asaj rreth pushtetit dhe në opozitën kryesisht nacionaliste], po fiton gjithnjë e më shumë mirëkuptim qëndrimi se bashkëpunimi me Perëndimin, rrjedhimisht edhe me NATO-n, është thelbësor për prosperitetin e Serbisë dhe realizimin e projektit “Bota serbe”. Përfaqësuesit e kompleksit ushtarako-industrial tok me piramidën e pushtetit, rrjedhimisht luftën në Ukrainë e kanë shfryëtzuar për përfitime të thella jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe për shmangien e presionit në raport me sanksionet ndaj Rusisë dhe gjithësesi edhe në dialogun me Kosovën. Ngërçi ku dyshja e diplomatëve të BE-së e ka futur dialogun në takimin e 14 shtatorti në Bruksel, është në përputhje të plotë me këtë strategji serbe.
Por, pavarësisht taktikave serbe dhe një lagjeje konservatore shtetesh anëtare të BE-së në raport me Republikën e Kosovës, Kosova [tok me Shqipërinë – pra kombi shqiptar], formojnë tërsinë unike shtetërore më të rëndësishme të linjës transatlantike, duke e shndërruar Kombin në një faktor domethënës në Europën Juglindore. Ndërkaq nëse kemi parasysh qeverisjen dhe selitjen e demokracisë në ngjitje, ndikimi i Kosovës është në rritje në krijimin kohezionit pozitiv brendakombëtar. Këta parametra do të shkojnë duke e shndërruar Kosovën në një amplifikues pozitiv të interesit nacional në raport me rënien e ndikimit të Rusisë në rajon, rrjedhimisht edhe me dobësimin e peshës së Serbisë me këtë rast. Serbia tutje po gjykon si një entitet perandorak, por që de fakto ajo e tillë nuk është që nga shkërmoçja e Jugosllavisë. Serbia ende nuk ia ka dalë të shndërrohet në një shtet-komb të mirëqenë, e edhe më pak në një shtet demokratik shumëkombësh, siç do të duhej në realitet të ishte. Shndërrimi në një Federatë të mirëfilltë do të ishte vet shpëtimi i saj, nëse marrim parasysh pozitën e vllehve, shqiptarëve [para së gjithash në Sanxhak , por pa anashkaluar tri komunat e jugut – Preshevë, Bujanoc e Medokë], të hungarezve në Vojvodinë etj. Nëse Serbia vazhdon të tundet në iluzionet e një fuqie koloniale, që do të mund të mblidhte të gjithë serbët në një shtet [Bota serbe], duke shpërbërë Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosoëvn, ajo mund të shkojë drejt shpërbërjes.