Mali i Zi: A ka një përpjekje për të krijuar “Qeveri të përkohshme” për të mundësuar kthimin e DPS në pushtet?
Nga IFIMES [8 shtator 2023]
Më 30 gusht, Mali i Zi shënoi tre vjetorin e zgjedhjeve demokratike që rrëzuan regjimin e Milo Gjukanoviqit dhe Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS). Kjo ngjarje nënkuptonte një hap të madh demokratik, pasi i dha fund regjimit autoritar më të gjatë në Evropë pas 30 vjetësh.
Pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, u krijua qeveria e 42-të, e njohur si qeveria apostolike për shkak të përfshirjes së konsiderueshme të Kishës Ortodokse Serbe (KPS) në formimin e saj. Kjo qeveri qëndroi në detyrë deri në fund të prillit 2022, kur qeveria e 43-të, e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviq (URA) dhe e quajtur qeveri e pakicës, erdhi në ekzistencë, duke përfaqësuar një ngjarje mjaft unike.
Në prill të këtij viti u mbajtën zgjedhjet presidenciale, të cilat rezultuan me humbjen personale të Milo Gjukanoviqit dhe zgjedhjen e Jakov Milatoviqit (PES) si President të ri të Malit të Zi, me mbështetje bindëse.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 11 qershor 2023. “Lëvizja Evropa tani” mori besimin më të lartë të votuesve për Parlamentin malazez, i cili përbëhet nga gjithsej 81 deputetë, duke siguruar 25,53% (24 anëtarë). Koalicioni “Së bashku” (DPS, SD, LP, DUA) fitoi 23,22% (21 anëtarë), koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” (NSD, DNP, RP) mori 14,74% (13 anëtarë), koalicioni “Numëroni me guxim” (Demokratët dhe URA) arriti 12,48% (11 anëtarë), Partia Boshnjake mori 7,08% (6 anëtarë), Forumi Shqiptar mori 1,91% (2 anëtarë), koalicioni “Për ty” (PKSH dhe Demos) siguroi 3,13 % (2 anëtarë), lista minoritare e kroatëve “Në anën e djathtë të botës” (HGI) ka marrë 0,74% (1 anëtar), dhe koalicioni i pakicës së shqiptarëve “Aleanca Shqiptare” ka marrë 1,49% (1 anëtar).
Rezultatet e zgjedhjeve kanë konfirmuar një fitore të madhe 2/3 e shumicës për të ashtuquajturin blloku anti-Gjukanoviq (blloku anti-DPS) i partive politike. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ishte vetëm 56.4%, duke shënuar pjesëmarrjen më të ulët që nga futja e sistemit shumëpartiak. Kjo nënvizon një tendencë të vazhdueshme të zvogëlimit të besimit midis qytetarëve në institucione, politikë dhe politikanë.
E ardhmja e Malit të Zi varet nga një betejë kundër krimit
Gjatë sundimit të Milo Gjukanoviqit dhe DPS-së, Mali i Zi u bë vatër krimi dhe strehë për kriminelët e shumtë, të cilët, në rrethana të dyshimta dhe për para, morën nënshtetësinë malazeze (i tillë është rasti i ish-kryeministrit tajlandez Thaksin Shinawatra). A do të ketë Gjukanoviç të njëjtin fat si Thaksin Shinawatra?
Gjatë tre viteve të fundit, Mali i Zi është bërë qendra e ngjarjeve rajonale dhe evropiane. Janë zbatuar ndryshimet dhe reformat demokratike dhe vendi është integruar në çështjet rajonale dhe evropiane. Si një partner i besuar i BE-së dhe aleat i NATO-s, Mali i Zi ka hapur perspektiva të reja për rritje të paprecedentë ekonomike dhe politike, pavarësisht se është shteti më i vogël në Ballkanin Perëndimor që ka ende një pozicion të jashtëzakonshëm gjeostrategjik. Përveç kësaj, Mali i Zi tani ka shansin, pas mandatit të Sllovenisë, për të siguruar një vend jo të përhershëm në
Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mandatin 2026-2027, një moment historik i mundshëm në arritjet e tij të politikës së jashtme.
Kryeministri Dritan Abazoviq u ka prezantuar qytetarëve të Malit të Zi një propozim për një partneritet dhe një koncept të ri politik të kontratës sociale dhe veprimit bashkëpunues, me qëllim nxitjen e një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe hartimin e një rruge për të ardhmen dhe prosperitetin për të gjithë qytetarët pa diskriminim. Qeveria e Abazoviqit ka ndërmarrë aktivitete dhe masa për të rivendosur sovranitetin e Malit të Zi mbi Portin e Tivarit, një vend i identifikuar dhe trajtuar vazhdimisht në raporte të shumta ndërkombëtare si i lidhur me forma të ndryshme të aktiviteteve kriminale të brendshme dhe ndërkombëtare. Toleranca e botës perëndimore ndaj këtyre aktiviteteve është justifikuar duke i dhënë përparësi paqes së brishtë dhe stabilitetit afatshkurtër mbi parimet themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Rrënjët e këtyre aktiviteteve kriminale mund të gjurmohen në kohët e luftërave rajonale dhe sanksioneve ndërkombëtare, gjatë të cilave u krijuan lidhje të pashlyeshme midis strukturave politike dhe rrjeteve të krimit të organizuar.
Pas ndryshimeve demokratike gjatë tre viteve të fundit, Mali i Zi është kthyer në një vend të pasigurt për krimin e organizuar, i cili po largohet nga Mali i Zi dhe po kërkon strehë më të favorshme në vendet tjera të rajonit. Ky problem është veçanërisht i theksuar në Serbi, ku strukturat mafioze dhe kriminale synojnë të marrin kontrollin e institucioneve shtetërore dhe të largojnë nga pushteti presidentin Aleksandar Vuçiq. Në një moment, Gjukanoviq e gjeti të përshtatshme të transferonte disa elementë kriminalë dhe mafioz në Serbi dhe në vendet e tjera të rajonit, në mënyrë që të bëhej një lojtar politik në ato shtete.
Analistët pohojnë se në vitet në vijim është parësore që të shpërbëhet tërësisht regjimi i Milo Gjukanoviqit dhe DPS, i cili ka depërtuar thellë në të gjitha segmentet e shoqërisë. Është e domosdoshme që të mos lejohen grupet e organizuara kriminale në Mal të Zi që të kërkojnë “linjë shpëtimi” brenda partive politike që do të përbëjnë qeverinë e re malazeze.
A ka një përpjekje për të krijuar një “qeveri të përkohshme” për të mundësuar rikthimin e DPS në pushtet?
Mandati për të formuar Qeverinë e 44-të të Malit të Zi i është caktuar Milojko Spajiq, President i Lëvizjes Evropa tani (PES). Parlamenti i Malit të Zi përbëhet nga 81 anëtarë dhe për të siguruar zgjedhjen e qeverisë, nevojiten minimumi 41 vota deputetësh, ndërsa vendimi i shumicës prej 2/3 kërkon mbështetjen e të paktën 49 anëtarëve.
Qeveria e re ka për detyrë të sigurojë vazhdimin e reformave, duke përfshirë përmirësimin e standardit të jetesës, luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Është e domosdoshme të përcaktohen parime të qarta të politikës së jashtme që nuk kompromentojnë statusin e Malit të Zi si një aleat i besueshëm i NATO-s dhe një partner i besueshëm i angazhuar për arritjen e anëtarësimit të plotë në BE. Po aq jetike është edhe nxitja e vazhdueshme e marrëdhënieve vërtet pozitive me vendet fqinje, një synim që në pjesën më të madhe tashmë është realizuar. Reformimi i sistemeve gjyqësore, policore, të sigurisë-zbulimit dhe mbrojtjes, të njollosur nga ndikimi i personelit të DPS-së, është i një rëndësie të madhe. Qytetarët e Malit të Zi dëshirojnë drejtësi dhe këto pritshmëri mbeten të paplotësuara. Prandaj, pjesa kontrolluese e votimit në parlament nuk duhet të lejohet të mbetet në duart e DPS-së.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, parashikohet që i ashtuquajturi koalicion fitimtar anti-Gjukanoviq (koalicioni anti-DPS) i partive politike të themelojnë së bashku Qeverinë e 44-të të Malit të Zi. Pritshmëritë janë që kjo qeveri të themelohet mbi rezultatet e zgjedhjeve dhe subjektet politike që
rrëzuan regjimin e Milo Gjukanoviqit dhe DPS-në dhe se ajo do të pranojë diversitetin e Malit të Zi. Përndryshe, qeveria e re mund të funksionojë si një qeveri e përkohshme, duke i hapur potencialisht rrugën kthimit të menjëhershëm të DPS-së në pushtet. Metoda aktuale e formimit të qeverisë sugjeron një skenar ku votat e DPS-së do të përcaktonin emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke paralizuar efektivisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Mali i Zi duhet të shmangë përsëritjen e Milo Gjukanoviqit dhe DPS-së
Asnjë parti politike në Mal të Zi nuk duhet të përsërisë DPS-në dhe asnjë lider politik nuk duhet të aspirojë të jetë Milo Gjukanoviq i ardhshëm. Përgjegjësia parësore në këtë drejtim bie mbi kryeministrin Milojko Spajiq (PES), i cili, në rrethanat aktuale, duhet t’i japë përparësi qeverisjes mbi kalkulimet politike. Qeverisja e shtetit duhet të jetë e lirë nga emocionet, ankesat personale, kotësia dhe bagazhi i marrëdhënieve ndërpersonale të së kaluarës midis figurave politike të Malit të Zi.
Analistët pretendojnë se është e rëndësishme që Mali i Zi të krijojë menjëherë një qeveri të fuqishme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke gëzuar mbështetje të konsiderueshme në parlament nga të paktën 49 anëtarë. Kjo qeveri duhet të vazhdojë fushatën e saj të pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke bashkuar subjektet politike që shpërbënë regjimin e Milo Gjukanoviqit dhe DPS-në më 30 gusht 2020 dhe duke integruar partitë e pakicave në kuadrin qeverisës. Kursi dhe qasja e fundit ndaj formimit të qeverisë nuk ngjall optimizëm apo nxit sinergji; përkundrazi, duket se është një përpjekje për të eutanizuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe për të lehtësuar kthimin e DPS-së në pushtet duke i dhënë asaj një pjesë të votimit kontrollues në parlament. Kjo mund ta çojë Malin e Zi në një periudhë jashtëzakonisht të pasigurt, pasi DPS mund të ushtrojë ndikim mbi të gjitha aspektet e qeverisjes, të përshpejtojë krizat politike dhe të detyrojë zgjedhje të parakohshme në çdo moment.
[Përktheu: ISHGJ]
________________
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull u përkasin vetëm autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të ISHGJ-së.